Bota

Talebanët: “Nuk diskutohet qeveria islamike në Afganistan!”

Nuk ka asnjë dyshim se qeveria e re talebane do të jetë islamike. Sido të jetë kombinimi, mbetet kabinet islamik e nuk ka dyshime.

Këtë e theksoi zëdhënësi i tyre, Zabihullah Mujahid, në një intervistë për Cgtn, kanal në gjuhën angleze, pjesë e rrjetit shtetëror kinez Cctv.

Mujahid shpreson që bisedimet e konsultat për formimin e një ekzekutivi, të çojnë në një përfundim pozitiv.

Në Katar, nisën negociatat mes Londrës e talebanëve pasi kryeministri i Britanisë, Boris Johnson kërkon të sigurojë një korridor për të mundësuar daljen nga Afganistani të qytetarëve britanikë e afganë të mbetur atje, pas tërheqjes ushtarake perëndimore, një ditë më parë.

Në Doha të Katarit, britanikët përfaqësohen me ministrin për tranzicionin afgan, Simon Grass. Qëllimi i tij është të sigurohet një kalim i sigurtë për qytetarët nga Britania e Madhe e bashkëpunëtorëve afganë, me të cilët bashkëpunuan në 20 vitet e fundit, prej 2001-shit.

Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, kreu i Parlamentit Europian, Davide Sassoli nuk e fshehu zhgënjimin për trajtimin e afganëve që u detyruan të largohen nga Afganistani.

Pamë vende jashtë Bashkimit Europian që u ofruan të prisnin afganë, por nuk pamë një shtet të vetëm të Unionit, të veprojë në këtë mënyrë.