Bota

Talebanët premtojnë rikthimin e vajzave në shkolla, por ende asnjë grua në qeverinë e tyre!

Vajzat në Afganistan do të kthehen në shkollë, në kohën më të shpejtë të mundur. Premtimi vjen nga zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, i cili sqaron se po punohet që të mbyllen procedurat e vajzat të rinisin mësimin.

Ndërkaq, talebanët publikuan listën e zv.ministrave, por bie në sy fakti se mes tyre nuk ka asnjë grua. Mujahid, i cili mban edhe detyrën e zv.ministrit të Informacionit, theksoi se në qeveri janë përfshirë pakicat etnike si Hazari ndërsa shtoi se gratë mund t’i bashkohen Ekzekutivit, në një moment të dytë.

Gjithashtu, në Afganistan ka një shqetësim për pagat e punonjësve të sektorit publik, pasi nuk po i marrin prej dy muajsh.

Kemi para’ të mjaftueshme për të paguar pagat e punonjësve afganë të sektorit publik, por na nevojitet pak më shumë kohë.

Në përfundim të mbledhjes informale të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Nju Jork, Përfaqësuesi i Unionit për Politikën e Jashtme, Josep Borrell deklaroi:

Afganistani ishte kryetemë e axhendës. Theksuam rëndësinë e përfshirjes me partnerët rajonalë, fqinjët e Kombet e Bashkuara, përmes platformave rajonale e globale.

Zhvillimet në Kabul janë shumë serioze e duhet të gjejmë mënyra për të mbështetur vendet fqinje me Afganistanin e partnerët tanë rajonalë dhe jo vetëm sa i përket zhvendosjes së njerëzve, emigracionit.

Ka çështje më të rëndësishme: kërcënimi terrorist, aktiviteti kriminal, veçanërisht i lidhur me trafikun e drogës. E dini që Afganistani është prodhuesi më i madh i drogës në botë!