Bota

Qeveria talebane: Gratë mund të studiojnë vetëm në universitet dhe me klasa të ndara nga burrat!

Gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë vetëm në universitete, ku klasat do të jenë të ndara në bazë të gjinisë dhe veshja islamike do të jetë e detyrueshme, tha më 12 shtator një anëtar i qeverisë së re të talebanëve.

Abdul Baqi Haqqani prezantoi këto politika të reja gjatë një konference në Kabul, disa ditë pasi talebanët formuan një qeveri, të përbërë krejtësisht nga burrat.

Bota po shikon nga afër se si do të veprojnë talebanët ndryshe nga hera e parë kur e kishim pushtetin më 1996-2001. Atë  periudhe, gratë dhe vajzat nuk kishin të drejtë të shkolloheshin dhe të merrnin pjesë në jetën publike.

Talebanët kanë sugjeruar se kanë ndryshuar, përfshirë edhe qasjen e tyre ndaj grave.

Haqqani, që është përgjegjës për edukimin, tha se talebanët nuk duan ta kthejnë kohën 20 vjet pas.

“Ne do të ndërtojmë mbi gjërat që tashmë ekzistojnë”, tha ai.

Megjithatë, studentet femra do të përballen me kufizime nën sundimin taleban, përfshirë edhe kodin e veshjes që do të jetë i detyrueshëm. Haqqani tha se hixhabët do të jenë të detyrueshëm.

Ndarjet gjinore do të hyjnë në fuqi tha ai.

“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku”, tha Haqqani.

Sipas tij, nëse nuk ka mësuese gra, atëherë do të aplikohen masa të posaçme që do të sigurojnë ndarjen.

“Nëse do të jetë e nevojshme një burrë mund të mësojë gratë, por në bazë të Ligjit të sheriatit”, tha ai.

Tashmë  janë publikuar fotografi të klasave të ndara me perde.

Gratë në Kabul dhe në vende të tjera në Afganistan kanë protestuar kundër sundimit taleban dhe duke kërkuar të drejta. Në disa raste, talebanët janë përgjigjur me forcë, duke i rrahur me kamxhikë, me shkopinj, por në disa raste ata edhe kanë shtënë në ajër dhe ua kanë drejtuar armët grave protestuese.