Tech

Tanimë karburanti mund të paguhet nga Smartphone juaj!

Gjatë konferencës së Apple WWDC 2022, u bë e ditur se do të ketë veçori të reja për përdoruesit e CarPlay sapo të dalë iOS 16. Një nga veçoritë për të cilat u fol përfshinte edhe një mënyrë të përshtatshme për pagesën e karburanteve kur e rimbushni makinën tuaj në ndonjë pikë karburanti.

‘GSM Arena’ shkruan se falë Reuters, tani kanë disa detaje shtesë që kanë të bëjnë me veçorinë e re. Si fillim kjo veçori do të jetë e aplikueshme vetëm në SHBA dhe zinxhiri i parë i pikave të karburantit që do ta bëjë këtë të mundshme është HF Sinclair. Ata në fakt kanë rreth 1,600 pika karburantesh në të gjithë vendin.

Një zëdhënës nga HF Sinclair tha se përdoruesit do të duhet që të shkarkojnë aplikacionin e kompanisë, të vendosin detajet e pagesave dhe pastaj mund të paguajnë duke përdorur sistemin e informacionit të makinës. Kjo veçori do të mund të përdoret pas muajit shtator, kur edhe pritet që të hyjë në funksion sistemi operativ iOS 16.

Duke reflektuar ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, së fundmi Bordi i Transparencës ka ulur sërish çmimet e karburanteve në vend, vendim i marrë në mbledhjen më të fundit, e treta brenda javës. Nafta do të tregtohet me 6 lekë më pak për litër pra 243 litri, ndërsa çmimi i benzinës do të jetë 235 lekë litri ose 7 lekë më pak nga sa ishte më parë. Një ulje e lehtë është edhe për gazin. Një litër gaz do të tregtohet me 81 lekë nga 83.