Sistemi i inteligjencës artificiale të DeepMind, i lidhur me një krah robotik ABB, ka “mësuar” të luajë pingpong afërsisht në nivelin e njerëzve, të cilëve u nevojiten vite stërvitje për të arritur një cilësi të ngjashme loje. Google publikoi gjithashtu një artikull dhe ndau me publikun video të “krahut të robotit ping-pong” në veprim.
Siç shihet, roboti bën goditje cilësore (forehand dhe backhand), reagon ndaj “prerjes” së topit nga kundërshtari dhe rregullon goditjen në rrotullimin e tij, mund t’i kthejë topat në një kohë më të shkurtër ose më të madhe, ndjek stilin e lojës së kundërshtarit, madje kthen topat “nec”, ato që prekin majën e rrjetës gjatë fluturimit dhe ndryshojnë papritur rrugën e tyre.
Gjatë testimit në ndeshjet me lojtarë amatorë të pingpongut, roboti fitoi 13 nga 29 ndeshjet e luajtura. Me atë rast, u përball me lojtarë që nuk i kishte “parë” të luanin më parë dhe ata ishin të niveleve të ndryshme të aftësive, nga fillestarët deri tek ata të denjë për turne amatore.
Rikujtojmë, se në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për herë të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve, me shpresën se kjo praktikë e re mund të bëhet më e zakonshme. Me një saktësi të pakrahasueshme, robotët mjekësorë të përparuar tani po i hapin udhë mundësisë për të kryer operacione tek fëmijët dhe të rriturit. Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pranë tavolinës me pajisjet kirurgjikale.
Por, krahë robotikë kryejnë një operacion delikat në rrugët urinare të pacientit. Krahët robotikë bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato. Kirurgjia me ndihmën e robotëve po bëhet përherë e më e zakonshme në praktikat e kujdesit shëndetësor në Britani. Fondacioni ‘London’s Guy’s’ dhe ‘St Thomas’s’ njoftoi në vitin 2023 se të gjitha operacionet e kancerit të prostatës, veshkave dhe mushkërive u kryen në mënyrë robotike, me mbi 10,000 procedura të realizuar me ndihmën e robotëve gjatë 20 viteve të fundit.