Rajoni

Targat e makinave të serbëve në Kosovë, reagon BE!

Bashkimi Europian ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund të destabilizojë situatën, edhe ashtu të brishtë e që çfarëdo sqarimi rreth interpretimeve për marrëveshjen për targat ta adresojnë në kuadër të dialogut.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth akuzave që kanë shkëmbyer Kosova dhe Serbia për mosrespektimin e marrëveshjes rreth targave, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

BE-ja kërkon nga të gjitha palët që t’i respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova e Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre.

Me marrëveshjen e nëntorit, Kosova u dha fund veprimeve të mëtejshme të lidhura me riregjistrimin e makinave me targa serbe që qarkullojnë në Kosovë, teksa Serbia ra dakord të mos lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Më 18 janar, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e mjetevce që kanë targa ilegale serbe KM e që janë riregjistruar pas dhjetorit të vitit 2022.

Bëhet fjalë për makina që janë regjistruar pas datës 7 dhjetor 2022, kur hyri në fuqi dekreti i ri i Qeverisë serbe për veturat që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës dhe të cilat janë të regjistruara në Serbi.

Duke komentuar vendimin e autoriteteve të Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç akuzoi Prishtinën se po tenton të shkaktojë krizë dhe tensione të reja.

Stano komentoi marrëveshjen e arritur në nëntor.

Kjo do të thotë që Kosova të përmbahet nga çdo veprim ndaj atyre që kanë targat KM dhe efektivisht të mbajë status quo-në derisa të arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja KM.