Rajoni

Targat me Serbinë, Kosova vendos reciprocitetin!

Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e autoveturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti, siç veprojnë autoritetet serbe me ato të regjistruara në Kosovë. Në pikëkalimet kufitare, makinat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme. Në xhamat para dhe pas të automjeteve me targa të qyteteve serbe, autoritetet po vendosin regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë.

Me vendim të Prishtinës zyrtare, të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targat e përkohshme, me vlefshmëri 60-ditore.
Vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, Kosova e kishte paralajmëruar gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Zv.kryeministri Besnik Bislimi pati thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe e bëri të qartë se Kosova nuk do ta respektojë në mënyrë të njëanëshme.

Deri tani, makinat e Kosovës që qarkullonin në Serbi, duhej të hiqnin targat “RKS” (Republika e Kosovës) dhe të vendosin të përkohshme, prej letre. Çështja e targave është rregulluar në Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Pronarët e automjeteve që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat “KS” (Kosovë) ose “RKS” (Republika e Kosovës) e kështu të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Duke folur në Kuvend, kryeministri Albin Kurti vuri në dukje se me veprimet e fundit, nuk po nxisin asnjë destabilizim.

Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente, nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë e nuk kanë për qëllim t’iu cënojnë lëvizjen e lirë apo të provokojnë destabilizim. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i marrëveshjes me të cilën ka rënë dakord edhe Serbia.

Vendosja e reciprocitetit për targat, ka bërë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nesër në orën 10:00, siç njoftojnë mediat serbe. Ndërkaq, njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikat e Jarinjës e Bërnjakut, pranë kufirit me Serbinë. Në Jarinje, disa serbë kanë bllokuar rrugën e po protestojnë. Me ta është kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç.