Aktualitet

Taulant Balla: Fasha e re 800 kW nuk aplikohet as në nëntor!

“Fasha e energjisë 800 kW nuk do të aplikohet as në muajin nëntor”. Kjo u bë e ditur sot nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në një prononcim për media nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Balla informoi mbi shtyrjen e vendosjes së fashës 800 kW edhe për muajin nëntor për shkak të miradministrimit të energjisë.

Edhe pse shi nuk ka pasur, qeveria ka vendosur shtyrjen për shkak të miradministrimit dhe vetëndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë, që ka dhënë efektet e para të uljes së shpenzimit të energjisë elektrike kot. Ne jemi në kushtet që jemi ndër vendet e vetme, në rajon po e po, por ndër të paktat vende në Europë ku qeveria vazhdon të subvencionojë 80% të faturës së energjisë elektrike të konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël.

Dy ditë më parë, gjatë një takimi në Dibër, kryeministri Rama tha:

ERE vendos çmimin, ky është çmimi i tregut, pastaj a vendoset fasha, a nuk vendoset fasha, a vendoset çmimi kaq apo aq, kjo është politikë që e bëjmë ne, nuk e bën ERE. Direkt titujt shkatërruan nervat e miletit çdo ditë, “rritet çmimi i energjisë”. E kupton? Në kohë lufte, kur gjithë bota flet për solidaritet, për mirëkuptim, jo për të qenë dakord si gjejmë zgjidhjet, por për të qenë dakord për faktet. Si mund t’ia thuash një mileti që është i shqetësuar? Ja thua, sepse ti nuk je i interesuar për asgjë tjetër përveçse ta shqetësosh miletin deri në pikën që ta tërbosh fare, ta nxjerrësh në rrugë për të rrëzuar qeverinë.

Ditë më parë, ministrja Balluku deklaroi:

Fasha 800 kWnuk është rritje e çmimit, është përfundimi i mburojës për të gjithë shqiptarët. Ne mbulojmë 1 milion e 90 mijë familje nga rritja e çmimit. Nëntori është muaji i 14-të që qeveria shqiptare kompenson çdo abonent familjar sa i përket energjisë.

Çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar, është 9.5 lekë ashtu siç ka qenë edhe kur megavati për orë ishte 32 lekë, ndërsa sot shitet me 390 euro dhe në ato ditët kur çmimet çmenden thjesht për një deklaratë të Putinit, arrijnë deri në 1040 euro, por askush nuk e ka ndjerë nga qytetarët se qeveria i ka mbrojtur.

Fasha 800 ka të bëjë vetëm për ata që kanë konsum më të lartë. Qeveria nuk mund të mbrojë konsumin e luksit. Qeveria mbron të gjithë qytetarët për konsumin e nevojshëm të çdo familjeje.