Aktualitet

Taulant Balla komenton dosjen “Toyota Yaris”!

Nga Kryesia e Kuvendit, Taulant Balla u pyet sot nga mediat në lidhje me hetimet që po bëhen për dosjen “Toyota Yaris”, për të cilën është akuzuar nga Lulzim Basha. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, kryetari i grupit socialist deklaroi:

Kemi qenë në këtë korridor 4 vite më parë kur z. Basha lëshoi një akuzë për të cilën ai u dënua penalisht nga gjykata për një akuzë të pavërtetë. Sot jemi në kushtet që pothuajse e gjithë kjo histori është zbardhur dhe ai që më akuzoi mua, sot është në listën e të akuzuarve. Se për çfarë akuzohet pyesni institucionet shqiptare dhe belge! Unë jam shumë i kënaqur që historia e kultivuar nga Berisha që hidh akuza sa më shumë për kundërshtarin, sot po merren përgjigjen e duhur! Për leksionet e gabuara të Sali Berishës, Basha duhet të paguajë kostot. Luli ma bëri atë akuzë se unë qesha më shumë se të tjerët kur bëri gafën 7×7 bëjnë 42. Tani të shkojë t’u japë informacionin autoriteteve, pasi dëmtoi me dashje apo pa dashje një operacion policor. Unë kam fituar një betejë juridike dhe gjyqësore dhe jam shumë krenar për këtë. Ç’të mbjellësh do të korrësh!

Sa i përket akuzës së ish-kryeministrit Berisha se ka patur një takim me Bashën e Veliajn, Balla u shpreh:

Nuk është e vërtetë, sajimi i radhës. Mos ia vini më veshin Saliut, pasi nuk i hyn më në punë njeriu!

Ndërkaq, foli për votimin vetting-ut dhe Reformën Zgjedhore.

Nuk e fsheh edhe kënaqësinë që Kuvendi i Shqipërisë i tejkaloi axhendat politike dhe me një votë unanime, pasi nuk kishim asnjë votë kundër, zgjati mandatin e organeve të vetting-ut. Nuk pati negociata për këtë çështje, thjesht dhe vetëm ndërgjegjësim. Grupi më i madh parlamentar vendosi të kontribuojë.

Bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore do të jetë z.Gjiknuri. E para, ne kemi dhënë aprovimin dhe mbështetjen për ngritjen e komisioneve e të enjten votohet edhe për përbërjen e tyre. PS do të ketë 8 anëtarë në secilin prej komisioneve. Ndërkohë që sot kemi biseduar për përbërjen e Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale. Mandati do të jetë 6 mujor dhe unë mendoj se 6 muaj janë shumë për të parë të gjitha propozimet. Reforma duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR/it, ligjin për financimin e partive politike.