Aktualitet Politikë

Taulant Balla në Kuvend: BE të lëvizë me shpejtësi drejt shpalljes së Berishës “non grata”!

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përsëriti sot se “Sali Berisha pritet të shpallet së shpejti non-grata dhe nga Bashkimi Europian”.

Në fjalën e tij, Taulant Balla përshëndeti vendimin e  Komisionit Europian për të vijuar në modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, për të sanksionuar të gjithë personat e përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë. Balla theksoi:

Gjej rastin të përshëndes tashmë vendimin e Komisionit Europian për të vijuar dhe ata në modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar për të sanksionuar personat e përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë. Dhe unë mendoj se do të ishte gjëja e duhur që Komisioni Europian të ecë sa më shpejt në këtë drejtim.

Përshëndes angazhimin e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian e këtu natyrshëm Shqipëria, duhet që të tregojnë me gisht ata persona. Dhe besoj se rasti më flagrant është rasti i ish-kryeministrit të këtij vendi, i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, si dhe nga Mbretëria e Bashkuar e besoj në këtë ecuri së shpejti edhe nga Bashkimi Europian.

Pas Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe, edhe Bashkimi Europian pritet të vendosë sanksione për politikanët e përfshirë në korrupsion. Nismën e bëri të ditur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një fjalim drejtuar vendeve anëtare të Unionit. Sipas zyrtares së lartë, Parlamenti Europian duhet të miratojë propozimet për Sanksionet e BE-së, të bëra publike në shkurt të vitit 2022.