Aktualitet Politikë

Taulant Balla për zgjedhjen e kreut të shtetit: “Proces transparent e me standarde!”

“Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës do të jetë transparent dhe me standarde”. Këtë e deklaroi sot nga Ballshi, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në një prononcim për mediat:

Procesi që për herë të parë pas shumë vitesh, Partia Socialiste drejton në mënyrë të drejtpërdrejtë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të jetë shumë transparent dhe një proces që do te ketë një standard për zgjedhjen e presidentit, pas kësaj radhe.

Ne na duhet një president që të respektojë normën kushtetuese, president normal dhe mbi të gjitha një president që na bashkon. Një president që përfaqëson unitetin kombëtar. Ky do të jetë një proces që fillon prej ditës së nesërme e do të ecim përpara. Procesi ka disa garanci dhe disa verifikime.

Për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, tre ditë më parë, maxhoranca përmes Taulant Ballës propozoi që raundi i parë i votimit të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të zhvillohet në datën 4 maj 2022. Kryetari i grupit socialist firmosi kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla për thirrjen e Konferencës së Kryetarëve. Balla parashtroi kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë procedurën e zgjedhjes, më 29 prill. Në letër thuhej:

Në nenin 88, pika 2 të Kushtetutës, përcaktohet se ‘mandati i Presidentit të Republikës përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës’. Po ashtu Kushtetuta përcakton se ‘procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës’.

Duke pasur parasysh se Presidenti i Republikës në detyrë ka pasur si datë të betimit datën 24 korrik 2017, konstatohet se mandati i tij si President i Republikës përfundon më 24 korrik 2022 dhe referuar parashikimeve kushtetuese sa më sipër procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës duhet të fillojnë jo më vonë se data 24 maj 2022.

Duke pasur në vëmendje afatet maksimale për çdo raund votimi si dhe numrin maksimal të pesë raundeve, Balla parashtroi kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, më datën 29 Prill 2022.

Për këtë qëllim, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ju propozoj thirrjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 29 Prill 2022, me këtë rend dite: Fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë; përcaktimi i datës së raundit të parë të votimit për Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Referuar Kushtetutës, propozoj që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të mbahet më datën 4 maj 2022.