Aktualitet

Taulant Balla pyet kreun e SPAK-ut mbi hetimet pë 21 Janarin, Gërdecin, “non grata-t”!

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, nënkryetari socialist Taulant Balla debatoi me kryetaren demokrate të Këshillit, Jorida Tabaku, për hetimet e SPAK-ut.

Balla bëri thirrje që SPAK-u të hetojë çështjen e 21 Janarit 2011 ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë u vranë katër protestues, si dhe “korrupsionin që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit”. Shpërthimet e 15 marsit 2008 shkaktuan 26 viktima e rreth 300 të plagosur. Tabaku ndërhyri, duke i kërkuar të fliste për integrimin, ndërsa tha se “duhet të ketë të njëjtën thirrje për ish-deputetët e PS-së që kanë kryer krime zgjedhore”.

Gjithashtu, Balla kërkoi të dijë se cili është opinioni i Prokurorisë shqiptare për “non grata”-t e shpallura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “përse nuk hetohet Sali Berisha për korrupsion e përdorim të pushtetit për përfitime personale?”.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian u diskutua për ecurinë në luftën kundër korrupsionit e po ashtu zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në raportin e vitit 2021 për Shqipërinë. Të pranishëm ishin Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Olsian Çela e numri një i SPAK-ut, Arben Kraja.

Shqipëria ka ende një listë të plotë të ish-gjyqtarëve, ish-prokurorëve që janë shkarkuar nga vetting-u dhe kanë rezultuar me mospërputhje tepër të mëdha të gjendjes së pasurisë së tyre e duhet që hetimet të jenë tepër të forta. Prokurori duhet të fillojë vetë hetime!

Pyetja ime është: “Përse Prokuroria e Posaçme nuk heton 21 janarin dhe nuk bën transparent korrupsionin në Gërdec?

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja nuk u përgjigj nëse kanë nisur hetime për Sali Berishën dhe Ilir Metën duke theksuar se “ia ndalon ligji të flasë”.

Unë nuk do të jap asnjë përgjigje për pyetjet konkrete, rreth individëve që mund të jenë në hetim dhe as do të jap opinion për çështjet që më kërkuat. Kjo është e shkruar në ligjin që keni votuar ju dhe unë do të zbatoj ligjin.