Bota

Të burgosurit e luftës në Azovstal të Mariupolit, Kryqi i Kuq nis regjistrimin!

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi sot se ka nisur regjistrimin e qindra të burgosurve të luftës, të cilët janë marrë nga Rusia në fabrikën e çelikut Azovstal, në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit. Në një postim në Twitter, Kryqi i Kuq thekson:

Gjatë dy ditëve të fundit, ne kemi regjistruar qindra të burgosur të luftës, që janë larguar nga fabrika e Azovstalit në Mariupol. Regjistrimi i të burgosurve të luftës është pjesë thelbësore e punës sonë. Eshtë me rëndësi të madhe që të dihet numri i tyre e po ashtu të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me dinjitet.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se 771 luftëtarë ukrainas në fabrikën Azovstal janë “dorëzuar” gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që numri i përgjithshëm i tyre të arrijë në 1 mijë e 730 që prej datës 16 maj.

Po ashtu, Moska zyrtare informoi edhe se “80 prej luftëtarëve janë të plagosur”. Raportohet se që të gjithë janë transferuar në një territor në lindje të Ukrainës e që kontrollohet nga separatistët pro-rusë.

Kjo shifër nuk është mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur dhe ende nuk ka të dhëna për fatin e luftëtarëve që vazhdojnë të gjenden në kompleksin e fabrikës. Referuar separatistëve pro-rusë, aty gjenden komandantë ukrainas.

Kryqi i Kuq deklaroi se “procesi i regjistrimit i cili ende po vazhdon, ndër të tjera përfshin dokumentimin e detajeve personale, siç janë emrat, datëlindjet e të dhënat e familjarëve të të burgosurve të luftës”.

Në deklaratën zyrtare thuhet:

Ky proces e lejon Kryqin e Kuq të gjurmojë të gjithë ata që janë kapur dhe t’i ndihmojë që të jenë në kontakt me familjet e tyre.

Aty po ashtu nënvizohet fakti se “sipas Konventave të Gjenevës, Kryqit të Kuq i lejohet të intervistojë të burgosurit e luftës “pa dëshmitarë” dhe vizitat nuk duhet të jenë “të kufizuara”.