Rajoni

Të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak, i zgjatet mandati me 18 muaj!

Vendet e Bashkimit Europian do të pranojnë që të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, t’i zgjatet mandati me 18 muaj. Nga burimet diplomatike në Bruksel, Radio Evropa e Lirë mëson se në takimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare, asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Lajçakut. Tashmë mbetet të plotësohet vetëm pjesa formale. Në këtë mënyrë, ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, pritet t’i vazhdojë mandati deri më 1 prill 2024. Pasi nisi punë në prill të vitit 2020, kjo është e treta herë që i zgjatet mandati e tashmë pritet të qëndrojë për 4 vjet në këtë detyrë.

Nga disa shtete të BE-së pati pakënaqësi, për shkak se në vitet e fundit nuk është shënuar progres konkret në dialogun mes Kosovës e Serbisë, por asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Mirosllav Lajçakut dhe ekipit të tij. Nga takimi i Këshillit Europian më 23 dhe 24 qershor, BE-ja pritet të përsërisë thirrjen se është urgjente arritja e progresit në dialogun mes Kosovës e Serbisë për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes tyre.

Për nesër, në Bruksel është planifikuar të zhvillohen takime të reja në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut e ku BE pret dhe dakordësim konkret për zbatimin e marrëveshjes për energji e mundësisht, nënshkrimin e një deklarate për personat e zhdukur. Për takime janë ftuar edhe zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi e shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç.

Sa i përket marrëveshjes për energjinë, diplomatët thonë se “është fjala për të njëjtën që u arrit në vitin 2013, që u konfirmua më 2015-ën e tani palët vetëm duhet të bien dakord për planin e zbatimit të akordit. Ende nuk ka konfirmim formal për këto takime, pasi ekziston mundësia që delegacionet të mos kenë mundësi të shkojnë në Bruksel në kohë, për shkak të grevës së përgjithshme në Belgjikë. Sot u anuluan të gjitha fluturimet nga aeroporti i Brukselit. Gjithsesi në BE shpresojnë se gjatë kësaj jave do të ketë takime në kuadër të dialogut, me rezultate konkrete.