Politikë

Të enjten Kuvendi në seancë plenare, pavarësisht vendimit të ekspertëve

Të enjten, Kuvendi mblidhet në seancë plenare, pavarësisht vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve anti-covid që ka ndaluar grumbullimet me më shumë se 10 personave. Me fillimin e seancës në orën 10:00, do të zhvillohet një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, dhe një tjetër me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Deputeti Ralf Gjoni ka kërkuar shpjegime nga dy anëtarët e Qeverisë për situatën e koronavirusit në vend.

Ndërkohë, 512 gjoba u vendosën në 24 orët e fundit në të gjithë vendin për mosrespektim të rregullave antiCovid. Masa administrative prej 3 mijë lekësh të reja u dha nga efektivët e policisë pas konstatimit të qindra personave që lëviznin pa maskat mbrojtëse.

Monitorimi i punonjësve të policisë për respektimin e protokollit të sigurisë, vjen teksa vendi shënoi dje bilancin më të rëndë për numrin e viktimave dhe të rasteve, 17 vdekje dhe gati 800 të prekur me koronavirus.