Aktualitet

Të hënën nis java e vaksinimit anti-COVID për moshat mbi 18-vjeç!

Më 19 korrik, nis java e vaksinimit të hapur anti-COVID për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç, të cilët mund të paraqiten me kartën e identitetit në pikën më të afërt të vaksinimit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte sot në Stadiumin “Air Albania” ku ndoqi procesin e vaksinimit dhe deklaroi:

Pas mbërritjes së 340 mijë dozave të vaksinave, vendosëm të rikthejmë ditët e hapura të vaksinimit sipas planit dhe rekomandimeve të ekspertëve të Shëndetit Publik. Do të jenë datat, nga dita e hënë e javës që hyjmë deri më 25 korrik. Kjo do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit për të gjithë qytetarët +18-vjeç në të gjitha qendrat shëndetësore, në pikat e vaksinimit masiv duke shkuar edhe derë më derë. Do të jemi në komunitet për të realizuar këtë vaksinim të popullatës +18-vjeç, në këtë javë të vaksinimit. Ftoj qytetarët +18-vjeç të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve!

Ditë dhe javë të vaksinimit të hapur do të ketë përgjatë gjithë verës. Manastirliu tha se vijon edhe furnizimi me vaksina anti-COVID e lajmëroi se së shpejti do të mbërrijnë në vend 32 mijë doza “Pfizer&BioNTech”.

Aktualisht në Shqipëri janë më shumë se 1 milion e 500 mijë doza vaksine të mbërritura. Ndërkohë që të hënën ne presim edhe rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer, për të vijuar me planin e vaksinimit e për ta zgjeruar më tej!

Ministrja e Shëndetësisë dhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico thanë se ka një alert të shtuar për variantin Delta të koronavirusit. Fico u shpreh:

Prej tashmë 2-3 javësh, kemi folur për sinjale të pazakonta. Kemi marrë mostra, i kemi në Laboratorin e Referencës dhe vijojmë me monitorimin. E rëndësishme është të kuptojmë që pavarësisht shtrimeve spitalore shumë sporadike dhe fatmirësisht humbjeve të munguara të jetës, ne shikojmë që ka rritje të vogla të infeksioneve. Ndaj nuk duhet të harrohen masat dhe apeli ynë e ndërkombëtar është vaksinim, vaksinim, vaksinim!

Deri tani, në vendin tonë kanë mbërritur 1.578.790 doza vaksine kundër COVID-19/ës. Në total janë kryer 1.052.108 doza dhe prej tyre, 455.131 qytetarë i kanë marrë të dyja.

Studimet po i konfirmojnë ndërlikimet te të rinjtë nga koronavirusi. Ndërmjet atyre që shtrohen në spital për t’u kuruar nga COVID-i, personat e grupmoshës 19-49/vjeç kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ndërlikimet shëndetësore se ata që janë mbi 50.

Në këtë përfundim doli një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar gjatë valës së parë të pandemisë nga 17 janari deri më 4 gusht 2020. Studiuesit mbajtën nën vëzhgim mbi 73 mijë pacientë në 302 spitale, për të ritheksuar mesazhin se “COVID-i nuk është vetëm sëmundje e të moshuarve e të sëmurëve kronikë”.

Sipas të dhënave, gjatë trajtimit spitalor, 4 në 10 njerëz të grupmoshës 19 deri në 49-vjeç patën probleme në veshka, mushkëri, zemër e organe të tjera.