Aktualitet

Të hënën nuk kalohet më nga ish sheshi “Shqiponja”

Nga nesër bllokohet lëvizja në ish sheshin Shqiponja në Tiranë. Shkak janë bërë punimet për Lotin e 3-të të Unazës së Madhe. Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi se është devijuar qarkullimi për mjetet hyrëse drejt kryeqytetit.

Kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho, ka sqaruar edhe lëvizjen e devijuar të automjeteve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana.

Kështu makinat që vijnë nga jugu duhet të përdorin aksin Elbasan-Tiranë, ndërsa ato që vijnë nga Kavaja, rrugën e Ndroqit. Sa i përket autoambulancave, do të krijohet një rrugë aksesi e veçantë.

“Do të krijojmë një rrugë aksesi vetëm për to, në bashkëpunim me policinë. Drejtuesit që vijnë nga jugu të zgjedhin aksin Elbasan-Tiranë, kurse ata që vijnë nga Kavaja të zgjedhin Ndroqin. Sepse koha e pritjes te dogana do jetë më e lartë se gjithë rruga e tyre”, tha kreu i ARRSH.

Punimet te ish sheshi “Shqiponja do të zgjasin 3-4 muaj./TCH