Aktualitet Politikë

‘Të ishim vaksinuar do ishim në shtëpi, me fëmijët’, Rama nxjerr mesazhet e pacientëve të shtruar me COVID në spital!

Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel qytetarëve që ta vaksinohen sa më parë, në mënyrë që të mbrojnë veten e tyre nga COVID. Teksa ka shpërndarë një video të pacientëve të shtruar në spital me COVID, Rama shkruan se ata kanë përfunduar në spital, pasi janë përballur me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën: Kur përballesh me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën! Edhe qytetarët e shtruar në spital, bëjnë thirrje që qytetarët të vaksinohen.

‘Në familjen time të gjithë janë të vaksinuar përveç meje se ishte zgjedhja ime. Kjo zgjedhje e gabuar më çoi këtu ku jam. Dua të them të gjithë të rinjtë duhet të vaksinohen pa përjashtim’, u shpreh një pacient.

“Po ju them të gjithëve të vaksinohen sepse do të përfundoni si puna ime këtu”, u shpreh një paciente.

“I bëj thirrje të gjithë moshës sime, edhe më të vegjël, të vaksinohen, një orë e më parë. Po të isha vaksinuar do isha në shtëpi me kalamajtë”, tha një pacient tjetër.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, vendosi pak ditë më parë që për punonjësit e administratës publike, të supermarketëve e të qendrave tregtare, të futen në kategorinë e atyre që e kanë vaksinimin kundër COVID të detyruar. Kujtojmë çdo qytetar mbi 18 vjeç tashmë mund të vaksinohet me dozë të tretë përforcuese kundër COVID, 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë. Me dozën e tretë u vaksinua edhe kryeministri Edi Rama, teksa i bëri thirrje qytetarëve që mos të hezitojnë të vaksinohen për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,111,797 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 1,075,332 doza të para; 965,964 doza të dyta; 70,501 doza të treta.