Bota Celebrities Film & Tv

Të jesh John Malkovich nuk shërben, pa Green Pass të vlefshëm!

Thuhet se “ligji është njësoj për të gjithë”, sidomos në kohë pandemie koronavirus. E madje, nuk të ndihmon as “të jesh John Malkovich”. Aktori e regjisori i njohur amerikan u dëbua nga hoteli luksoz Danieli di Venezia, vetëm sepse Green Pass-i i tij, rezultoi i skaduar. Në Venecia të Italisë, Malkovich-in e çuan xhirimet e “Ripley”-t, një serial i ri televiziv, remake i romanit të Patricia Highsmith, “Talenti i Mr. Ripley”-t. Artisti kishte suitën në hotelin e famshëm, por u detyrua të gjejë një sistemim tjetër.

“Il Gazzettino” që bën të ditur lajmin, sqaron se “bazuar në Dekretin Omicron”, leja e qëndrimit në hotele, iu mundësohet atyre që zotërojnë certifikatën e gjelbër të rinovuar dhe për shkak se aktorit i kishte skaduar, u detyrua të gjejë zgjidhje alternative, për qëndrimin në një shtëpi private.

Në kastin me Johnny Flinn e Dakota Fanning duhej të ishte edhe Matt Damon, më pas i zëvendësuar me aktorin irlandez Andrew Scott. Që kur zbarkuan në vendin fqinj për xhirime, nga ana shëndetësore monitorohen nga një strukturë e lëvizshme private, në afërsi të Pietà, pranë sheshit San Marco.

Çdo dy ditë, aktorëve e stafit iu bëhen tamponë. Xhirimet parashikohet të zgjasin dy muaj dhe një javë më parë hynë në fazë ngadalësimi për shkak se u konfirmuan të infektuarit e parë.