A Live Night Celebrities Gossip Music Showbiz

“Të krijosh një mburojë që të mos vritesh kur bie…”, rrëfimi i sinqertë i Ronela Hajati në “A Live Night”!

E ftuar ditën e sotme në “A Live Night”, Ronela Hajati dha një intervistë ekskluzive shumë të veçantë, ku ndër të tjera, zbuloi hapat e parë në muzikë. Artistja zbuloi si e nisi ajo karrierën muzikore, që dukshëm ka ndodhur në një moshë të hershme.

M’u fut një ide në kokë që unë isha superstar që po e kërkonte e gjithë bota dhe më duhej patjetër ta shfaqja veten. Mbaj mend që herën e parë kam dalë te “Kërkohet Një Yll”, isha përshëndetëse. Isha thjesht 12 vjeç. Më pëlqeu shumë si ide të më ftonin shumë shpesh. Më pas shkova te “Ethet e Së Premtes Mbrëma”. Kanë qenë tre ditë audicion. U bë një si ditë shtesë dhe kam shkuar grupi i fundit fare. Dola atje, thashë ‘ky është momenti yt’. Ata thanë ‘po’. U thashë jam 14 vjeç, më pas 12, të vërtetën. Më thanë që nuk lejohet, por u cilësova si përjashtimi. Kur nuk jam futur në dhjetë më të mirët, u mbylla në banjo dhe kam qarë… Pas një viti hyra në gjimnaz. Erdhi ‘Poleposition”, shkollë arti me kërcim, me aktrim, me këngë. Duhet t’i bëje të gjitha. Mami absolutisht që nuk ishte dakord sepse unë sapo kisha nisur gjimnazin dhe do të duhej të isha shumë e fokusuar te mësimet.

Artistja tregon gjithçka në rrëfimin e saj të sinqertë, teksa zbulon vështirësitë për krijimin e një karriere muzikore në Shqipëri. Ajo pohon me bindje, se të kesh talentin nuk është e mjaftueshme dhe duhet promovimi i duhur i tij.

Ndonjëherë të dish se si ta shfrytëzosh talentin tënd është më mirë sesa ta paraqesësh talentin tënd vend e pa vend. Arti tani është industri, showbiz-i është industri, është biznes. Nëse ti je kaq talent i madh që nuk duhet të humbasësh dhe je në duar të sigurta e dinë të tjerët se çfarë duhet të bëjnë me ty. Në Shqipëri duhet të merret familja jote ose njerëzit e tu më të dashur. Ka shumë artistë të rinj që mendojnë se janë më të mirët e botës dhe pastaj kur bien, se të gjithë bien, e përjetojnë 500 herë më keq sesa po të ishin realistë dhe ta dinin se ka dhe ulje dhe ringritje, dhe e tillë është muzika. Të jesh modest, njeri me kokën e ulur që të pranosh kritikat, vërejtjet, të dëgjosh këshillat, është gjëja më e mirë për të krijuar një mburojë që të mos vritesh kur bie. Sepse për të rënë do biesh patjetër. Fama nuk më ka goditur asnjëherë, sepse jam mësuar që fëmijë me kamera, nuk më ka bërë asnjëherë përshtypje një kamera më shumë. Nuk kam marrë kot, të fluturoj për faktin se mund të më njohin njerëzit. Unë mund ta shfrytëzoj këtë gjë në të mirën time, në punën time…