Bota

Të lindësh vetëm dy fëmijë siç bënë Meghan e Harry qenka vendim i ndritur!

Të kesh vetëm dy fëmijë mund të jetë edhe një zgjedhje që meriton të vlerësohet, të paktën nëse prindërit janë Harry e Meghan Markle. “Population Matters”, organizatë bamirësie me seli në Mbretërinë e Bashkuar, që adreson çështjet demografike e ndikimin e tyre në mjedis, i konsideron shembuj për familjet e tjera.

Kjo për faktin se kanë zgjedhur të mos bëjnë më fëmijë pas djalit Archie Harrison e vajzës Lilibet Diana.

Vlerësimi iu jepet sot në Ditën Botërore të Popullatës të caktuar më 11 korrik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Promovuesit e fushatës për jo më shumë se dy fëmijë, nuk i kursejnë lëvdatat:

Vendim i ndritur! Duke zgjedhur e deklaruar publikisht qëllimin për ta kufizuar numrin e fëmijëve në dy, Duka e Dukesha e Sussex-it po i kontribuojnë garantimit të një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e tyre dhe përbëjnë shembull për familjet e tjera!

Në një intervistë në 2019-ën, Harry e Meghan thanë për “Vogue” se me vullnetin për të garantuar impakt të qëndrueshëm mbi ambientin e planetin, vendosën të mos kenë më shumë se dy fëmijë.

Deklarata e tyre nuk kaloi pa polemika sidomos nisur nga udhëtimet nga kontinenti në kontinent me avionë privatë, nga të cilët nuk heqin dorë. Të shumtë pyesnin nëse kjo ishte sjellje e qëndrueshme?

Kritikët e çiftit nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe stilin e tyre të jetesës e cilësojnë shumë më me ndikim në ekuilibrat e planetit se vendimi për zgjerimin ose jo të familjes.

Po William e Kate Middleton që kanë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, çfarë mendojnë vallë?