Bota

Të paktën 4 të vrarë e 10 të plagosur nga sulmi me armë zjarri në Oklahoma të SHBA-ve!

Në Shtetet e Bashkuara, kontrolli i armëve sa vjen e po përçan politikën mes demokratëve e republikanëve. Kjo po kthehet në çështje të nxehtë, me intensifikimin e sulmeve me armë, më i fundit në një qendër spitalore në Tulsa të Oklahomas ku sipas policisë amerikane, të paktën katër persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën. Autoritetet konfirmuan edhe vdekjen e agresorit, por ende nuk është e qartë nëse u ekzekutua nga forcat e rendit apo i dha fund jetës.

Referuar burimeve zyrtare, mediat përshkruan një skenë “katastrofike” në Natalie Medical Building në kampusin e spitalit St.Francis Hospital, rreth 10 kilometra në jug të qendrës së qytetit Tulsa. Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Biden “po e ndjek çështjen nga afër”.

Ndërtesa kishte qindra njerëz kur personi i armatosur hapi zjarr. Më pas u mbyll dhe oficerët shkuan kat më kat për të evakuuar njerëzit e për të konfirmuar se kishte vetëm një person që qëllonte me armë zjarri.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams po shqyrton shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të dhunës me armë në qytet. Kjo raportohet nga gazeta “New York Times”.

Adams synon të emërojë një shef për të parandaluar dhunën në qytet, edhe pse detyrat e tij apo të saj, ende nuk janë të qarta. Nga viti 2019 deri në atë 2021, ngjarjet me armë zjarri në Nju Jork u dyfishuan nga 777 në 1 mijë e 562, duke u ngjitur në nivelet më të larta në 16 vitet e fundit.

Që nga marrja e detyrës, ish-agjenti Eric Adams ka përforcuar sigurinë në metro, duke rritur praninë e policëve dhe gjithashtu ka rinisur një divizion kundër armëve, të shfuqizuar më parë për shkak të abuzimeve të raportuara. Adams theksoi:

Kjo është beteja e kohës sonë sa i përket të drejtave civile, me të cilat ne duhet të përballemi për të mbrojtur qytetet tona.