Aktualitet

Të prekurit me COVID nuk mund të votojnë!

Me bazën ligjore aktuale të zgjedhjeve, të prekurit me COVID-19 që duhet të qëndrojnë të izoluar nuk mund të votojnë por vetëm ata që janë në burgje e spitale. Për t’i hapur rrugë votimit të tyre duhen ndërmarrë ndryshime ligjore në Kuvend.

Sot në një bashkëbisedim me gazetarët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha: “Nuk ka metodë që mund t’u ofrohet të infektuarve të votojnë në zgjedhje nga ambientet ku qëndrojnë të izoluar”. Sipas tij, vetëm nëse partitë dhe Parlamenti bien dakord për të bërë ndryshime ligjore, atëherë do të mundësohet votimi për këtë kategori personash.

Ilirjan Celibashi foli për votën e emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se afati është i shkurtër për ta bërë të mundur në këto zgjedhje, megjithatë ai shtoi se do të tentohet të ketë pjesëmarrje të tyre sado e vogël qoftë ajo. Ndër të tjera, Celibashi theksoi se për të mundësuar votën e emigrantëve duhet konsensusi i të gjitha palëve politike.