Aktualitet

Të punësohesh me mik, ekspertët: Kështu është për 60% të shqiptarëve!

Ndërsa tregu i punës ka një etje të madhe për punëtorë, këta të fundit nuk presin për të pyetur që në fillim për pagën e kushtet e punës. Ndërkohë, studimet e fundit të ekspertëve të punësimit në vend, tregojnë se më shumë se gjysma e shqiptarëve, punësohen me mik.

Forma më klasike është punësimi me mik dhe sugjerim nga stafi, që zë 60% të punësimeve në treg. E dyta është partnerët dhe bashkëpunëtorët, çka do të thotë, dikush që ka korrespondencë e bashkëpunim të përditshëm me kompani, furnitorë, dërgues të lëndës së parë. Nëse nuk e gjen te stafi apo te njohjet, i thua atij: Ke dikë për të më sugjeruar?

Për Top Channel, eksperti i punësimit, Erion Muça sugjeron se pronarët duhet të dinë si t’i tërheqin punëtorët.

Sot duhet të promovohen përmirësimet që po ndodhin. Te tabela, nuk duhet të thotë: kërkojmë kamarierë, por paga e kamerierit është kaq për një vit e mbi bazë rezultatesh bëhesh menaxher lokali. Ti ofron mundësinë e një sistemi të promovimit të brendshëm. Përmes kësaj duhet të luftohet e të konkurohet mes industrive e sipërmarrjeve, jo përmes nevojës jetike.

Unë kërkoj 20 mijë punonjës, thotë ai kryetari i Shoqatës së Industrisë Fasone. Po mirë, po si funksionon puna aty? Sa orë punojnë në javë ata? Sa i respektohen kontratat e punës? Sa i jepen mundësi dhe hapësirë për jetë sociale? Sa interesohesh ti për një punonjës që është pa qejf? Sa interesohesh ti për një punonjës që ka shqetësime e halle familjare dhe si i trajton këta punonjës kur ty të ulin rendimentin e produktivitetin në punë?

Ky është sistemi i motivimit, vlerësimit të klimës dhe mjedisit miqësor të brendshëm, sepse ti do të duhet të promovosh një model funksionimi e të punuari, mbi bazën e të cilit do të duhet të joshësh punonjësit. Tani ka filluar konkurrenca e vërtetë në tregun për punonjës në Shqipëri.