Aktualitet

Atentat ndaj dy policëve në Vlorë; po udhëtonin me makinë private

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në lagjen “Partizani” të Vlorës. Mësohet se një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy punonjësve të policisë, të cilët po udhëtonin me një makinë private.

Njëri prej tyre ishte punonjës i Patrullës së Përgjithshme kurse tjetri punonjës i Policisë Kufitare.

Për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk ka marrë plumba duke i shpëtuar të shtënave.

Mësohet se dy punonjësit e policisënuk ishin në shërbim gjatë momentit kur është qëlluar ndaj tyre.

Ngjarja sapo ka ndodhur dhe nuk dihen ende rrethanat e saj, megjithatë të qëlluarit ndaj punonjësve të policisë e çon në një shkallë tjetër nivelin e kriminalitetit në vend pasi deri më tani ishim mësuar me vrasje mes grupeve kriminale.

Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:40, në lagjen “Partizani”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se nga një automjet tip “Volkswagen”, një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.

Në momentin e ngjarjes, punonjësit e Policë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.