Aktualitet

Të tjera reagime për sulmin ndaj Top Channel, vazhdon dënimi i ngjarjes!

Vazhdojnë reagimet për ngjarjen tronditëse të orëve të para të mëngjesit, sulmin me breshëri kallashnikovi ndaj godinës së Televizionit Kombëtar Top Channel në Mëzez, me një viktimë, punonjësin e sigurisë Pal Kola, baba i tre fëmijëve.  Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi:

Akti kriminal i sulmit me armë ndaj “Top Channel” me pasojë humbjen e jetës të një personeli të sigurisë, është një ngjarje shumë e rëndë dhe e dënueshme, që meriton të zbardhet sa më parë!

Një tjetër dëshmi tragjike e revanshit të krimit, që po merr çdo ditë jetë të pafajshme në zemër të qyteteve tona, por edhe një sulm ndaj fjalës së lirë!

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit dhe solidaritet të plotë me komunitetin e gazetarëve të Top Channel.

Reagoi edhe anëtari i KAS-it, Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho:

Akti kriminal ndaj Top Channel, me pasojë humbjen e nje jete te pafajshme, duhet te marre vemendje maksimale nga organet hetimore. Zbulimi i ekzekutoreve dhe porositesve te ketij krimi, eshte mision per garantimin e lirise se shprehjes ne kete vend. Megjithatë kur sulme te tilla ndermerren ndaj medias, te gjithe duhet te reflektojme per gjuhen e urrejtjes qe po mbjellim ne kete vend.

Për sulmin shokues ndaj televizionit kombëtar, krahas pikave të kontrollit policor në rrugë u ngrit menjëherë edhe grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Por, deri tani mbeten të paqarta rrethanat, autorët e motivet e mundshme të sulmit.

Ndërkaq, po bëhet ekzaminimi i një automjeti Range Rover, i gjetur i djegur në autostradën e Kavajës. Dyshohet se makina brenda së cilës ishin dy kallashnikovë u përdor nga autorët e sulmit. Targat e saj rezultuan të vjedhura, një muaj më parë. Nga Policia e Shtetit dhe institucionet e Drejtësisë, Top Channel ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme “të sulmit terrorist”.