Aktualitet Rajoni

Të tjera reagime, pro miratimit të propozimit francez nga Parlamenti i MV-së!

“Përshëndes votën e Parlamentit maqedonas që hap rrugën për konferencat e para të anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”. Kështu shkruan sot në Twitter kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ne ju duam si anëtarë të Bashkimit Europian dhe do të jemi pranë jush gjatë gjithë rrugës.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit europian. Dokumenti mori 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzionet e hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), të cilat garantojnë njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti reagoi pas votimit të propozimit francez nga parlamenti i cili i hap rrugë Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Tiranën dhe Shkupin.

Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti shprehet:

Maqedonia e veriut nuk është Ukrainë dhe Europa nuk është Rusi për të dal në protesta udhëheqësi i opozitës me bluzë të gjelbër si një Wannabe Zelenski nga AliEkspresi. Dhe ashtu siç edhe pritej, forcat regresive në shërbim të agjendave të huaja dështuan dhe qytetarët nuk i përkrahën. Sot ngadhnjeu Maqedonia Europiane dhe forcat progresive në vend, sot ngadhnjeu bashkëjetesa, ardhmëria dhe shpresa.  Urime qytetarë, urime vendit. Kthim prapa, SKA!

“Në Maqedoninë e Veriut, Parlamenti ka votuar sot në favor të hapjes së negociatave për anëtarësim, në favor të së ardhmes sonë të përbashkët europiane”, shkruan në Twitter përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Josep Borrell.

Një hap vendimtar në rrugën drejt BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në momentet kur ne duhet të qëndrojmë së bashku për të përballuar sfidat e përbashkëta.