Rajoni

“Të vrava familjen”, fjalët e fundit të autorit të masakrës së Cetinjës!

Në Mal të Zi, qytetarët ende janë të tronditur nga masakra e Cetinjës ku pretendimet për qiranë e një banese në fshatin Medovina, dje shkaktuan 11 të vrarë, mes tyre dy fëmijë 8 e 11-vjeç dhe nëna e tyre.

Mediat publikojnë fjalët e fundit të autorit Vuk Boriloviç, qiradhënësit i cili u kthye në vrasës gjakftohtë e me një armë gjahu iu mori jetën 10 vetëve përpara se të ekzekutohej nga fqinji i tij, Nenad Neno Kaluđerović, në rrugët e Medovinës. 34-vjeçari telefonoi babain e dy fëmijëve, për t’i thënë:

Unë kam vrarë familjen tënde!

Fillimisht, Boriloviç hyri në banesën e qiramarrësve e rreth orës 15:30 qëlloi për vdekje 11-vjeçarin, më pas vëllain e tij, tre vjet më të vogël e plagosi nënën e tyre, e cila ndërroi jetë në spital.

Pasi përfundoi telefonatën me kryefamiljarin Millosh Martinoviç, me të njëjtën armë gjahu në dorë, hyri në shtëpinë e fqinjëve të tjerë duke vrarë të moshuarit Danijela e Dimitrije Dreçun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Dreçun. Djali i vikimave Rajko Dreçun, vrapoi drejt banesës kur dëgjoi të shtënat e gjithashtu përfundoi i vrarë.

Fatkeqësisht nuk u mbyll këtu. Të tjerë banorë të zonës: Aleksandra e Danijela Radunoviç, si dhe Milan Mitroviç, me dajën e tij Goran Gjurishiç ranë pre e plumbave të vrasësit e nuk mbijetuan.

Gjashtë janë të plagosurit, tre në gjendje kritike për jetën, mes të cilëve një polic. Të lënduarit trajtohen në spitalet e Cetinjës e të Podgoricës. Dy prej tyre, ata në Cetinjë u vizituan nga kryeministri Dritan Abazoviç dhe ministrat e Brendshëm e të Shëndetësisë.

Qeveria shpalli tre ditë zie në nderim të viktimave e Abazoviç iu bëri thirrje qytetarëve të vendit, të qëndrojnë pranë familjeve e të afërmve të të vrarëve e të plagosurve. Masakra, më e rënda ndër dekada në Malin e Zi, ndodhi në kulmin e sezonit turistik.