Aktualitet Politikë Rajoni

“Të zbardhen këto akte burracake”, Presidenti Meta reagon pas sulmit ndaj policisë kosovare në veri të vendit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për sulmin ndaj autoriteteve policore të Kosovës një natë më parë.

Meta shprehet se ka besim të plotë në zbardhjen e kësaj ngjarje dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

Ai bën thirrje të shmangen provokimet dhe përshkallëzimi i tensioneve që minojnë sigurinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Reagimi i presidentit Ilir Meta

Dënoj me ashpërsi sulmin e dhunshëm dhe me armë ndaj autoriteteve policore të Kosovës, në Zubin Potok.

Kam besim të plotë se institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës do t’i zbardhin shumë shpejt këto akte burracake dhe do të vënë para drejtësisë autorët.

Bëj thirrje për shmangien e çdo provokimi dhe përshkallëzimi të tensioneve, që minojnë sigurinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Sot në mëngjes, Policia e Kosovës ra sërish pre e sulmeve me armë zjarri në pjesën veriore të vendit.  Mësohet se dy automjete të Policisë së Kosovës u sulmuan me armë zjarri  në Komunën e Zubin Potokut, por nuk ka pasur policë të lënduar.

Automjetet i përkisnin patrullave kufitare që mbikëqyrin hapësirën mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa sulmi ka ndodhur në orën 07 e 40 minita. Kujtojmë që edhe mbrëmë Policia kufitare është sulmuar me armë zjarri në Zubin Potok.