Art & Kulturë

Teatri Kombëtar, Rama: Shkak për vonesën, rritja e kostove në sektorin e ndërtimit!

Rritja e kostove në sektorin e ndërtimit ka çuar në vonesa për fillimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën për fillimin e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, ku theksoi se tërmeti, pandemia dhe së fundmi lufta në Ukrainë, kanë ndikuar në këtë rritje të çmimeve.

Ai theksoi megjithatë se Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç është projektuar, duke shtuar se jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e përcaktuara kur në mes futen faktorë të tjerë.

“U bënë 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar e ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh. Fatkeqësisht pasi tërmeti, pandemia e lufta në Ukrainë, kanë goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe të rritjes së çmimeve të ndërtimit në veçanti. Jemi duke diskutuar që ka patur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit për Teatrin, por e gjitha lidhet me këtë moment të vështirë për kalimin e projektit nga letra, por gjithçka lidhet me kostot. Është e kotë që me këto çmime t’i kërkosh kompanive të marrin pjesë në gara të tilla. Po merremi me këtë çështje dhe do e gjejmë një zgjidhe, teatri do ndërtohet siç është projektuar. Por jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e caktuar kur në mes futen ngjarje as mund të parashikohen as mund të evitohen”, tha ai.

Sezoni turistik, Rama: Shqiptarët të kontribuojnë, të mos rrisin fëmijët në mjedis plehrash

Kryeministri Edi Rama ka folur për rolin e pushtetit vendor për zhvillimin e turizmit kulturor që të mos jetë kalimtar për turistët duke thënë se kanë krijuar kalendarë specifikë dhe harta për turistët. Nuk la pa përmendur edhe pastrimin e vijës bregdetare para se të nisë sezoni turistik duke thënë se duhet të angazhohen edhe familjarët në mënyrë që fëmijët të mos rriten në mjedis plehrash.

“Sezonet turistike kanë ndryshuar ndjeshëm dhe pse ndryshimi duhet të jetë shumë më i thellë dhe sistematik por ka ndryshuar ndjeshëm qysh se kemi filluar të punojmë. Janë bërë disa vite që gjatë periudhës së sezonit kemi kalendarë specifike aktivitetesh dhe harta specifike për turistët. Edhe bashkëpunimi me bashkitë është strukturuar dhe ka shumë për të bërë akoma, por të jemi realistë, në këtë proces duhet kohë për të ndërtuar sic duhet tradita të caktuara” u shpreh Rama.

Ai shprehu bindjen për një sezon të bollshëm këtë verë.

“Jam besimplotë që ky sezon do të jetë më i miri në të gjitha aspektet sepse kemi punuar për pastërtinë. Kemi një skemë të re për pastrimin e territorit në vijën bregdetare dhe do të kemi ndryshim të dukshëm. Por nuk mjafton vetëm puna e shtetit, por duhet edhe shqiptari të jetë në lartësinë e kësaj nevoje të madhe që ka vendi për të mos u turpëruar në sytë e botës dhe për të mos u bërë pasqyra deformuese e edukimit të fëmijëve tanë.

Në atë mjedis plehrash që shihen ngado që hedh sytë, rrisin fëmijët dhe bëjmë gjynahun e madh të mësimit të fëmijëve me plehrat. Këtë duhet ta ketë parasysh çdo prind që ndot mjedisin. Jo vetëm kaq por sezoni do të ketë edhe kalendarin e vet kulturor dhe do të ketë risi të tjera që do të lidhen me mundësi që lidhen me dixhitalizimin. Sistemi i ndihmës së parë dhe kujdesit shëndetësor është ngritur, është solid dhe do të vijojë të jetë aty në mbështetje të të gjithë turistëve dhe qytetarëve që shkojnë në vijën bregdetare dhe do të jetë i pari sezon ku Apolonia do të arrihet me një rrugë brenda standardit dhe në të gjitha drejtimet, deri në investimet e reja që po bëhen.

Kam shifrën e rritjeve të fluturimeve. Kjo si pasojë edhe e uljes drastike të çmimeve. Nga ana tjetër është edhe rritja e investimeve në fushën e turizmit kështu që kemi të gjithë arsyet të besojmë se industria e turizmit do të njohë rritje të madhe dhe brenda dekadës do të shpallim Shqipërinë kampione në rajon për turizmin”.