Aktualitet

Gjykata në Prishtinë lë në burg Fjolla Morinën!

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë 40 ditë paraburgim për Fjolla Morinën e cila u arrestua 2 ditë më parë pasi ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, e dënuar në mungesë me 6 vite burg.

Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar me 19 korrik 2021.

Fjolla Morina u arrestua të hënën në lagjen “Emshir” të Prishtinës, ndërsa një ditë më parë, avokati i këngëtares, Fanol Krasniqi, u shpreh se ajo u arrestua në mënyrë çnjerëzore para të gjithë lagjes dhe se nuk ishte thirrur paraprakisht që të paraqitet në Polici lidhur me kërkesën e ekstradimit nga autoritetet shqiptare.

Për vendimin për ekstradimin e Fjolla Morinës në Shqipëri, avokati u shpreh nuk është i ekzekutueshëm pasi ajo nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa na bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak.

Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”, mjet të cilin ia kishte dhuruar i dashuri vetëm pak ditë para vënies në pranga.

Bashkë me këngëtaren u arrestuan edhe biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi i saj Fitim Muji. Pavarësisht se ishin në të njëjtin mjet me të, Morina i shpëtoi dy djemtë nga përgjegjësitë, teksa deklaroi se ata nuk kishin asnjë dijeni për armën dhe se këtë të fundit e kishte dhuratë nga një mik i dashur që nuk jeton më.