Bota

Teksas, 46 viktima brenda një kamioni/Ishin emigrantë ilegalë!

Të paktën 46 persona, të cilët besohet se ishin emigrantë u gjetën të vdekur në një kamion të braktisur në San Antonio të Teksasit. Ndërkohë, 16 njerëz të tjerë, mes tyre edhe katër fëmijë, u dërguan në spital.

Të mbijetuarit po vuajnë pasojat e të nxehtit përvëlues pasi qëndruan me orë të tëra pa ajrosje, brenda në mjet. San Antonio, qytet rreth 250 kilometra nga kufiri mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës njihet ndryshe si rrugë kryesore tranziti për trafikun ilegal të njerëzve për në Amerikë. Zakonisht, trafikantët përdorin kamionë të mëdhenj për t’i transportuar pa dokumente, për të kaluar në Amerikë.

Duke mos e fshehur keqardhjen e thellë, kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg deklaroi:

Ata kanë pasur familjet me vete.. me siguri kanë qenë në kërkim të një jete më të mirë. Eshtë ngjarje e tmerrshme, një tragjedi njerëzore.

“Autoritetet shkuan në vendin e ngjarjes pas raportimeve vetëm për një person të pajetë”, – tha shefi i zjarrfikësve në San Antonio, Charles Hood.

Nuk shkuam në vendngjarje duke imagjinuar diçka të tillë. Nuk prisnim që në kamion të gjenim aq shumë trupa. E paimagjinueshme!

Makina e braktisur nga shoferi, nuk kishte kushtet minimale, as kondicioner dhe as ujë të pijshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme të Meksikës, Marcelo Ebrard, deklaroi se dy shtetas të Guatemalës ishin në mesin e personave të dërguar në spital. Kombësia e viktimave të tjera nuk dihet ende.

Tre vetë u ndaluan nga zyrtarët amerikanë dhe hetimet për rastin tragjik po kryhen nga agjentët federalë. Sekretari Amerikan për Sigurinë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, u shpreh me tone të ashpra, duke akuzuar për atë që ndodhi, organizatorët e trafiqeve të tilla.

Trafikantët e njerëzve janë individë pa shpirt, që nuk mbajnë parasysh njerëzit e cënueshëm, të cilët i shfrytëzojnë për të rrezikuar rendin e sigurinë dhe për të përfituar financiarisht.