Aktualitet

Telashe të tjera me drejtësinë për ish-ministrin Fatmir Mediu!

Ndaj Fatmir Mediut ka nisur një proces hetimi për korrupsion edhe në Ministrinë e Mjedisit, përveç “Dosjes Gërdeci” si ish-Ministër i Mbrojtjes. Hetimi po bëhet nga një grup agjentësh të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kanë marrë në dorë dosjet e veprimtarisë ekonomike-financiare në këto dy ministri, si pjesë e planit anti-korrupsion dhe në ministritë e tjera e gjithashtu, për gjithë ministrat e 20 viteve të fundit.

Po pse ky hetim, ka nisur vetëm për kohën kur ministër ka qenë Fatmir Mediu e jo për të tjerët para e pas tij?

Sepse, sipas informacionit, Fatmir Mediu është rifutur në proces gjykimi për aferën korruptive e kriminale të Gërdecit dhe hetimet, zbuluan prova të tjera të dyshuara korrupsioni, që shërbejnë për një hetim të thelluar e gjithëpërfshirës. Indicie janë raportet dhe tre kallëzimet penale që ka bërë KLSH-ja, për abuzimet me fondet, grantet e huaja dhe pasuritë në administrim të këtyre ministrive gjatë drejtimit nga Fatmir Mediu, të lëna pezull nga Prokuroria e mëparshme.

Sipas raporteve përkatëse, konstatohet se gjatë periudhës tetor 2005-shkurt 2008, në Ministrinë e Mbrojtjes janë bërë 108 milion euro korrupsion me tendera e shpenzime administrative të paligjshme, ndërkohë që mungojnë dosjet e shitjes së 148 pasurive troje, godina, makina e deri në armë e municione.

Po sipas raporteve të KLSH-së, konstatohet se gjatë periudhës tetor 2009-shtator 2013, në Ministrinë e Mjedisit janë bërë 81 milion euro korrupsion e vjedhje me tendera, grante projektesh pyllëzimi, ndotje e ujërave, blerje makinash, mobilim zyrash, udhëtime e punësime fiktive, ndërkohë që janë zhdukur 23 milion euro të ardhura nga tarifat mjedisore dhe gjobat.

Hetimi ndaj Mediut është autorizuar nga SPAK-u, me referencë raportet e auditit ekonomik-financiar, por edhe informacionet e agjencive të survejancës partnere nga SHBA-të dhe Europol-i, për përfshirje të tij në grupe trafiqesh. Disa vite më parë, kryetari i PR-së është përfolur si i implikuar dhe i dënuar në Itali me tre vite burg, si i kapur në flagrancë, që në delegacionin parlamentar shqiptar kishte futur me pasaportë dhe emër fals, një trafikant nga Berati, në kërkim ndërkombëtar. Presidenti amerikan, Joe Biden ka nxjerrë një urdhër për të sekuestruar pasuritë e paligjshme të çdo pushtetari,  që është përfshirë në veprimtari korruptive e  kriminale.