Aktualitet

Temperaturat e larta, disa vatra zjarri në të gjithë vendin!

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë kodrat me ullinj në zonën e Karbunarës në Lushnjë. Mësohet  se deri më tani si pasojë e flakëve janë djegur rreth 10 hektarë sipërfaqe me ullishte. Forcat e zjarrfikëses janë nisur drejt vendit të ngjarjes ndërkohë që për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe banorët e zones.  Era që fryn në zonë po favorizon përhapjen e flakëve ndërsa nuk dihet nëse zjarri është i qëllimshëm apo jo.

Ndërkaq është raportuar për zjarr edhe në zonën e Fierit. Përkatësisht është evidentuar një vatër zjarri në pyllin me pisha dhe ullinj në Qafën e Lalarit  dhe pyllin në Kraps. Ndërhyrja për shuarjen e flakëve është e vështirë për shkak të terrenit. Forcat e zjarrfikëses së Fierit dhe Patosit kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e tyre.

Nga ana tjetër një lajm i mire vjern nga Vlora. Prefekti Flamur Mamaj ka bërë me dije se zjarri në malin Dukat është fikur, pas disa orësh luftë me flakët, teksa sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme. Ai ka sqaruar se arsyeja pse nuk është ndërhyrë nga ajri është se helikopteri që është në dispozicion të emergjencave është në remont kapital pas ndërhyrjes në Malin e Tomorit.