Aktualitet

Temperaturat e ulta në vend, vështirësohet qarkullimi i automjeteve!

Ngricat nga temperaturat e ulëta e reshjet e dëborës në disa zona të vendit, po vështirësojnë qarkullimin e automjeteve. Në Veri, Verilindje e Juglindje, Autoriteti Rrugor njofton se kontraktorët shpërndanë kripën e pastruan akset Dedaj-Razëm-Bogë, Qafë Mali-Fierzë, Kuben Vasije, Tamarë-Shkodër, Burrel-Klos-Peshkopi, Kukë-Has e Përrenjas-Kapshticë ku qarkullimi vazhdon normalisht.

Teksa ngricat bëhen shkak për rrëshqitjen e makinave, drejtuesit këshillohen të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore e të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë. Përdorimi i tyre përbën domosdoshmëri në Korçë-Qafë Qarri e Korçë-Dardhë. Gjithashtu, në pjesën fundore të rrugës Krujë-Sarisalltik me gjatësi 2 kilometra e në akset e Dajtit në Tiranë.

Në rrugët e Qarkut Kukës ku lartësia e dëborës arrin nga 5 deri në 15 centimetra nuk raportohen bllokime. Në terren janë angazhuar 24 borëpastruese si dhe nga 10 fadroma e po aq kamionë, krahas 4 kamionçinave, një ekskavatori e 88 punonjësve. Në Pogradec, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Eshtë fjala për Dardhasin, Proptishtin e Hudenishtin ndërsa në Bishnicë po punohet me traktor për të hapur rrugën.