Aktualitet

Tensione e përplasje në Kuvend, protagonistë Salianji e Braçe/Salianji përjashtohet!

Një përplasje që mund të kishte përfunduar në grushte dhe konfrontim fizik, nëse nuk do të ndërhynin efektivët e Gardës së Republikës do të kishte ndodhur në sallën e Kuvendit mes Ervin Salianjit dhe Erion Braçes. Mes tyre u shkëmbyen replika të ashpra. Deputeti demokrat iu referua kolegut socialist, i cili ka qenë numri dy i qeverisë, si zv.kryeministri i përmendur në përgjimet e Rezart Taçit.

Nga foltorja e Kuvendit, Salianji u shpreh:

Kjo hipokrizia sikur këtu ka disa gra ministre e deputete bëjnë të prekurat për një fjalë që nuk prek askënd, kurse kur kryeministri i drejtohet kryetares së parlamentit për mbarimin e fjalës i kthehet. Ka 10-fishuar pasurinë e saj dhe bashkëshortit të saj zonja Bushka. Prandaj del dhe bën këtu si engjëll, por nuk është engjëll. Zotëria, parafolësi im 40 milion euro me tendera. Ky zotëria që del dhe bën si më i shqetësuari, në përgjimet e prokurorisë italiane, për Rezart Taçin. A je ti zv.kryeministri që del në përgjime? Mos m’u drejto mua si kone se je mësuar me këta!

Erion Braçe:

Me thënë të drejtën, etika në këtë sallë veçanërisht ndaj grave mori fund në ditën kur e  gjithë urrejtja u derdh mbi një fletë votimi ku ishte emri i një gruaje. Rikthejini ato pamje dhe do sillni si mori fund etika atë ditë. Së dyti, erdha këtu sot për të folur për Buxhetin, kisha një qëllim dhe i shkova deri në fund për të folur për bujqit. Nuk akuzova askënd, tani në këtë sallë ka shpifës të dënuar nga gjykata dhe jo shpifës, por komplotues në kurriz të nderit të njerëzve. Dokumenti i përgjimit të Rezat Taçit mban datën 18 tetor 2021, unë e zotëroj të plotë dhe atëherë unë nuk kam qenë zv.kryeministër. Që në shtator kur është betuar qeveria, unë kam qenë deputet. Që të jemi të qartë: ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza sa te njëri te tjeri dhe do jua provoj që paguhen me cash. O e kam denoncuar unë  ARMO-n,  o s’ka fol njeri në këtë sallë e madje e kam kallëzuar edhe në prokurori. Aty e keni ARMO-n, varr të hapur të një korrupsioni politik. Unë s’kam folur kurrë me Taçin dhe as jam takuar kurrë me atë njeri.

Gjithçka ndodhi në seancën maratonë që vijon nga dje, ku po diskutohet projekt-buxheti 2022 e Paketa Fiskale ndërsa sot pritet miratimi në parim. Kuvendi vendosi përjashtimin e Ervin Salianjit nga seanca, një vendim që kreu i grupit demokrat, Alfred Rushaj e kundërshtoi:

Në atë foltore nuk është lënë gjë pa thënë për të gjithë ne këtu, duke filluar nga Kryeministri dhe të gjithë ne të tjerët. Ju nuk mund të ndëshkoni me masë disiplinore pa hetuar më parë. Të hetohet kush e ka bërë këtë gjë!