Aktualitet Politikë

Tensione në Kuvend, Berisha bllokon foltoren!

Sot në Kuvend u shënuan tensione në seancë plenare kur në shenjë proteste për kufizimin e kohës së debatit, opozita bllokoi foltoren, duke çuar në ndërprerje të përkohshme. Më pas, Berisha e deputetë demokratë i transmetuan fjalimet në rrjetet sociale. Më herët, Enkelejd Alibeaj kërkoi debat për çështjen e mandatit të ministres Xhaçka, jo vetëm lexim raporti.

Në lidhje me Raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, Alibeaj tha se “disa herë Xhaçka e shtyn për të mos u përballur me të vërtetën. Nuk dhatë mundësi për diskutim dhe kërkesa është të ketë debat, jo vetëm lexim raporti”.

Kreu i grupit demokrat shprehu dhe shqetësimin mbi kufizimin e kohës së debatit për Portin e Durrësit.

Në Konferencë të Kryetarëve vendosët që për Portin e Durrësit që sipas rregullores duhet t’i nënshtrohet të gjitha rregullave, vendosët ta kufizonit kohën e debatit dhe kjo është shumë e rëndë. Jo vetëm që javën e kaluar në kundërshtim me Kushtetutë dhe në shkelje të rregullores e kaluara atë me  procedure të përshpejtuar, vazhduat dje të kufizonit kohën e deputetëve për të folur sepse është një nga çështjet më të rëndësishme.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi deklaroi se në këtë seancë po kërkohet t’i mbyllet goja opozitës.

Na keni hequr të drejtën e fjalës ne deputetëve të opozitës siç po na e hiqni dhe sot. I keni hequr të drejtën e fjalës grupeve të interesit, pra nuk është parë ndonjëherë që buxheti të diskutohet nen për nen dhe palët e interesit të mos ftohen dhe të mos thirren. Keni fikë nga fjala, ndaj dhe ajo që ju bëni shkelni në mënyrë të vazhdueshme rregulloren. Shkelni Kushtetutën duke mbrojtur ministrat tuaj që po mbrojnë pronat dhe po kthehen në investitorë strategjikë.

Vokshi ka kërkuar që të përjashtohet nga Kuvendi kryeministri Edi Rama për gjuhën e përdorur në seancën e shkuar plenare.

Të merret masë për Edi Ramën. Vajzat e mia në shtëpi janë tmerruar nga gjuha e kryeministrit. Ky është shembulli që i japim fëmijëve tanë? Kam kërkuar nga të gjitha gratë deputete të distancohen. Kërkoj të merret masë dhe të përjashtohet Edi Rama për gjuhën vulgare që ka përdorur në Parlament.