Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës, presidenti Vuçiç: Këtë javë bisedime me Macron dhe Scholz! Nuk do të dorëzohemi ndaj presionit!

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar për tensionet në veri të Kosovës duke thënë se këtë javë do të ketë bisedime me liderë europianë. Një mesazh të qartë e kishte duke thënë se nuk dorëzohen para presionit.

“Java e ardhshme do të jetë e vështirë për Serbinë. Kemi shumë obligime ndërkombëtare, bisedime me liderë evropianë, prej Bratislavës e Çisinaus, bisedimet me Emmanuel Macron-in dhe Olaf Scholz-in.

Dhe për ata që frikësohen dhe pandehin se ne do të dorëzohemi ndaj presionit, përgjigja ime është se s’ka dorëzim dhe se dorëzimi kurrë as që është në konsideratë”, ka thënë Aleksandar Vuçiç.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg duke iu referuar situatës në veri të Kosovës pak ditë më parë, kërkoi që Prishtina të mos ndërmarrë më hapa të njëanshëm të cilët mund të destabilizojnë vendin dhe rajonin.

Ai tha se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e  ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si e vetmja rrugë drejt normalizimit të situatës.

“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në Twitter.