Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës, Serbia: Po përfundojmë dislokimin e njësive ushtarake!

Ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç, tha se deri në orën 14:00 të së hënës do të përfundojë dislokimi i plotë i njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë. Kjo në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksander Vuçiç për rritjen e gatishmërisë luftarake.

Në veri të Kosovës, grupe serbësh lokalë janë mbledhur sërish sot, për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç. Të premten e kaluar, protestuesit serbë u përleshën me Policinë e Kosovës, e cila ndihmoi kryetarët për t’u vendosur në objektet komunale.

Në përgjigje, Vuçiç dha urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.

Njësitë e ushtrisë serbe do të jenë të përgatitura për të zbatuar çdo urdhër, me shpresë se do të gjendet një zgjidhje politike. Gatishmëria luftarake e Forcave të Armatosura të Serbisë është rritur për të bërë të ditur se ka vija të kuqe.

Sipas Vuçeviçit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsilloviç, sot ka biseduar në telefon me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Michele Ristuccia.

Gjatë bisedës, Ristuccia tha se KFOR-i do të ofrojë siguri e paqe dhe nuk do të lejojë një konflikt mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të komunitetit serb.  KFOR-i po mbron Policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj të komunave, të cilët janë uzurpatorë të demokracisë.

Shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cilësoi “reagim të vonuar të këtij misioni”.

Ata duhet të shkonin atje të premten dhe jo sot. Mandati i tyre është që të mbrojnë paqen, stabilitetin e njerëzit. Ata sot nuk po mbrojnë njerëzit dhe institucionet. Ata po mbrojnë uzurpatorët.

Më 26 maj, Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit për të hyrë në ndërtesat komunale. Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, që u përleshën me forcat policore.

Komuniteti ndërkombëtar dënoi veprimet e Kosovës dhe kërkoi që ta shtensionojë situatën në veri. Po ashtu, ndërkombëtarët kanë kërkuar që kryetarët e rinj të shmangin hyrjen me forcë në ndërtesat komunale.