Rajoni

Tensionet në veri, Vuçiç: Ne u treguam korrektë!

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, lidhur me situatën shqetësuese në veri të Kosovës.

Mediat serbe raportojnë se zyrtarët kanë rënë dakord se është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie vendimtare, jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg, presidenti Vuçiç prezantoi qëndrimin e Serbisë lidhur me situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë dhe e njohu atë me aktivitetet e Prishtinës që shkaktojnë frikë te qytetarët e nacionalitetit serb.

Gjithashtu, presidenti Vuçiç theksoi edhe një herë se Serbia nuk e ka shkelur as Marrëveshjen e Brukselit dhe as Rezolutën 1244 me një veprim të vetëm, pasi në asnjë mënyrë nuk kërcënon ruajtjen e paqes, por se vazhdon të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet në zgjidhjen e problemeve dhe çështjet e hapura në lidhje me atë që ai e quan “krahina jugore serbe”.

“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord të vazhdojnë komunikimin e drejtpërdrejtë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin dhe presidenti Vuçiç falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg për marrëdhëniet korrekte dhe gatishmërinë për të dëgjuar palën serbe”, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit Vuçiç.