Bota

Tensionet në Zveçan/ Një muaj paraburgim për dy të arrestuar!

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan dy ditë më parë.

Ata dyshohet se ishin pjesë e përleshjes mes protestuesve dhe forcave të rendit më 29 maj në Komunën e Zveçanit. Atë ditë, të lënduar mbetën rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestuesit.

Avokati i njërit nga të akuzuarit, R.P., Dejan Vasiq ka paralajmëruar apelim të vendimit në Gjykatën e Apelit.

“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë shpjegim për vlefshmërinë e dyshimeve. Kjo është hera e parë që kam parë dikë që e bazon dyshimin në raportime të mediave, pa ndonjë dëshmi konkrete për atë që janë akuzuar”, tha Vasiq për REL-in.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Protestat në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe nisën më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë.