Aktualitet

Tentativa e arratisjes nga burgu e Çekajt e Pjetrit, forcohen kontrollet!

Pak orë pas tentativës për arratisje nga Burgu 313 në Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve urdhëroi nisjen e kontrolleve për rivlerësimin e kushteve të sigurisë edhe në burgje të tjera.

Urdhri merr shkas nga plani i dështuar i të dënuarve Arbër Çekaj e Fatmir Pjetri, të cilët tashmë u vunë në izolim. Ndaj tyre u shtuan akuzat e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe kundërshtim i policisë.

Burime të sigurta të Top Channel tregojnë se nga shërbimi i kontrolleve të brendshëm të burgjeve, po verifikohen edhe veprimet e efektivëve të policisë, në detyrë dje pasdite. Ndonëse plani i arratisjes dështoi, dyshohet se neglizhuan detyrën.

Burime jozyrtare për Top Channel thonë se sot u zhvillua një mbledhje pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Po ashtu priten të tjera, pasi ka diskutime për të vendosur nëse do të pranojë Ministrja e Drejtësisë propozimin që Arbër Çekaj të dërgohet në regjimin e ashpër 41 bis.

Ai është dënuar më 14 vite burg për trafik ndërkombëtar droge ndërsa Pjetri me 30 vjet, për grabitje me armë. Mbetet e paqartë se si të burgosurit që ndodheshin në ajrim bashkë me të tjerë, nuk janë kontrolluar dhe përdorën një çarçaf 20 metra të gjatë për të zbritur.

Dy të burgosurit ishin në tarracën e Burgut 313, e cila është përshtatur si vend ajrimi. Më tej, duke parë se hapësira më e ngushtë mes tarracës dhe tokës ishin shkallët e administratës, zbritën përmes shkallëve e çarçafëve në katin përdhes ku gjenden zyrat e administratës.

Ndërkohë, distanca mes mureve të zyrave të administratës dhe qelive rezulton rreth 30 metra. Pikërisht në atë moment reaguan efektivët e Policisë të cilët u vendosën në hyrje të 313-ës ku dhe u godit një nga oficerët, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.