Aktualitet

Tentoi arratisjen, RENEA neutralizon të kërkuarin për vrasje në Malësi të Madhe!

Jepen detaje lidhur me plagosjen e 52-vjeçarit Ardian Narkaj, i cili u qëllua me snajper nga forcat RENEA, gjatë aksionit për arrestimin e tij në Bratosh të Malësisë së Madhe.

Në bazë të informacioneve për vendndodhjen e një personi  në kërkim prej 10 vitesh, si i dënuar për vrasje të dyfishtë, u organizua dhe zhvillua operacioni i koduar “Bratosh”. RENEA zbarkoi në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” dhe rrethoi një stan ku fshihej shtetasi Narkaj, të cilit iu bë thirrje të dorëzohej. Ai nuk iu bind urdhrit të policisë por tentoi të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Forcat speciale morën masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi konstatuan se ishte i armatosur. Në cilësinë e provës materiale, në vendngjarje u gjet dhe sekuestrua një pushkë me fishekë në fole, gati për qitje.

Pas plagosjes, fillimisht Narkaj u dërgua në Spitalin e Shkodrës e më tej në të Traumës në Tiranë ku ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Ardian Gjelosh Narkaj rezulton i dënuar me 21 vite burg nga Gjykata e Apelit Shkodër për veprat penale, “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

52-vjeçari u shpall fajtor për vrasjen e dyfishtë të shtetasve Ton Ulaj e Gjergj Shotaj në vitin 2008, në fshatin Bratosh. Në 2015-ën, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e dhënë nga Apeli Shkodër, duke kthyer për rishqyrtim çështjen.