Aktualitet

Tërhiqet ARRSH, rruga e Rinasit rikthehet me dy kalime!

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH u tërhoq nga vendimi i marrë pak ditë më parë për kthimin vetëm me një drejtim lëvizjeje të rrugës së Rinasit. Ky vendimi i ri i ARRSH-së erdhi pas një proteste katërditore të banorëve të kësaj zone, protestë që vijoi edhe më herët gjatë ditës e çoi në bllokime të qarkullimit të automjeteve. Përmes një njoftimi për shtyp, ARRSH bëri të ditur se kthehet në gjendjen e mëparshme rruga e Rinasit dhe qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare. Synohet lehtësimi i trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.

Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare, me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.  Apeli ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit. Udhëtarë dhe turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes.

Para lajmit të dhënë nga ARRSH, edhe më herët gjatë ditës së sotme, banorët e zonës përreth aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit vijuan për të katërtën ditë radhazi protestën kundër vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për qarkullimin vetëm në një sens të rrugës që të çon drejt Rinasit.

Banorët bllokuan rrugën pranë shkollës publike të kësaj zone. Ata përsëritën se “vendimi ARRSH-së i pengon në lëvizjet e përditshme për në punë apo shkollimin e fëmijëve”.

Këtu penalizohen jo vetëm tre fshatra, por dhe gjithë qytetarët e veriut që i drejtohen aeroportit. Ne nuk shkojmë dot te tokat tona bujqësore, nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot në qendrat shëndetësore.

Protestuesit e përshëndetën vendimin. Dy ditë më parë, kreu i ARRSH-së, Evis Berberi vinte në dukje se “kjo ishte një zgjidhje e përkohshme, në prag të sezonit turistik” dhe sipas tij, “banorët mund të përdorin edhe rrugicat”.