Bota

Tërmet i fortë në Japoni, por nuk ka rrezik për cunami!

Një tërmet i fuqishëm sot goditi Japoninë qendrore, duke shkaktuar të paktën një viktimë dhe 21 të lënduar. Në mesditë, lëkundja me magnitudë 6.5 Rihter goditi rajonin qendror Ishikawa, në një thellësi prej 12 kilometrash, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë. Zyrtarët paralajmëruan banorët për të tjera dridhje të mundshme të tokës e rrëshqitje të dheut në ditët në vijim, por theksuan se “nuk ka rrezik për cunami”. Një qytetar tregoi:

Ishte një dridhje e madhe dhe e gjatë, rreth dy minuta. U ndjeva i frikësuar sepse lëkundjet vazhduan e vazhduan.

Gazetarëve në kryeqytetin Tokio, zëdhënësi i qeverisë, Hirokazu Matsuno iu tha se një person u raportua i vdekur dhe se ka njoftime të shumta për ndërtesa të shembura.

Viktima ra nga një shkallë. 21 persona mbetën të plagosur.

Agjencia lokale e Menaxhimit të Zjarrit dhe Fatkeqësive bëri të ditur se të paktën tre ndërtesa u shkatërruan me dy persona të bllokuar. Njëri u nxor nga rrënojat dhe u dërgua në spital. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për tjetrin.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve e vendosi magnitudën 6.2 e tha se “tërmeti goditi në bregdet”, por Agjencia Meteorologjike e Japonisë u shpreh se “epiqendra ishte në tokë”.

Ministri japonez i Parandalimit të Fatkeqësive, Koichi Tani deklaroi se ka raportime për rrëshqitje të shumta dheu e disa banorë u strehuan në qendrat e evakuimit. Tërmetet janë të zakonshëm në Japoni, vend që ndodhet në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, një hark aktiviteti intensiv sizmik që shtrihet në Azinë Juglindore e në të gjithë pellgun e Paqësorit.

Japonia u godit nga një tërmet masiv nënujor me magnitudë 9, në mars të vitit 2011, duke sjellë një cunam që shkaktoi rreth 18 mijë e 500 viktima ose të zhdukur.

Cunami i vitit 2011 shkriu dhe tre reaktorë në centralin bërthamor të Fukushimës, çka çoi në fatkeqësinë më të rëndë të pasluftës së Dytë Botërore në Japoni, si dhe aksidentin më katastrofik bërthamor që nga Çernobili.