Bota

Tërmet i fuqishëm në Pakistan, viktima e qindra të plagosur!

Dridhet toka në Pakistan, një tërmet me magnitudë 6 sipas shkallës Rihter, goditi gjatë natës vendin duke shkaktuar viktima e të plagosur. Autoriteti i Emergjencave në provincën Beluçistan raporton për të paktën 20 të vdekur e mbi 300 viktima. Mes atyre që humbën jetën ka edhe fëmijë.

Dëmet materiale janë të konsiderueshme. Dhjetëra shtëpi me mure balte, u rrëzuan, siç konfirmon Suhail Anwar Hashmi, zv.komisar i distriktit Harnai.

Krahas Harnait, që rezulton zona më e goditur nga lëkundja sizmike, në situatë alarmante janë edhe Quetta, Pishin, Ziarat, Chaman e Sibi. Në Beluçistan u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Disa persona që punonin në një minierë qymyri humbën jetën nga shembja e saj, e shkaktuar nëntokë nga tërmeti. Shumë njerëz u nxorrën të gjallë nga gërmadhat në banesat e tyre.

Bilanci i viktimave pritet të rritet pasi ende shumë persona rezultojnë të zhdukur. Në terren ndodhen ekipet e kërkim-shpëtimit që po gërmojnë në rajonin malor të Pakistanit, të tronditur nga aktiviteti sizmik.