Bota

Tërmet i fuqishëm në Tajvan, paralajmërim për cunami!

Një tërmet i fuqishëm goditi bregun juglindor të Tajvanit, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara. Nga dridhjet e tokës u shemb të paktën një ndërtesë, duke shtyrë Japoninë që të lëshojë paralajmërim për cunami.

Tërmeti u regjistrua në orën 02:44 me atë lokale, rreth 50 kilometra në veri të qytetit Taitung, në thellësinë 10 kilometra. Fillimisht, lëkundja u raportua me magnitudë 7.2 sipas shkallës Rihter, por më pas u saktësua se ishte 6.9 Rihter.

“Të paktën një ndërtesë u rrëzua në qytetin Yuli”, – referuar raportimeve të agjencisë tajvaneze, Central News Agency. Videot e postuara nga kjo agjenci treguan banorët duke ikur nga godina, ndërsa e gjithë zona u mbulua nga re pluhuri.

Dridhjet e tokës u ndjenë edhe në kryeqytetin e Tajvanit, Taipei, siç njoftoi agjencia AFP. Një tërmet i magnitudës 6.6 Rihter goditi të njëjtin rajon edhe një ditë më parë duke çuar në aktivitet të vazhdueshëm sizmik e në dëme materiale minimale, por ky i sotmi ishte shumë më i fuqishëm.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim për cunami, duke këshilluar për kujdes banorët në ishujt në afërsi të Tajvanit.
Japonia tha se pritet që valët e detit të arrijnë lartësi deri në një metër. Megjithatë, nga pamjet e publikuara në televizione, në ishujt e prekur nga tërmeti nuk u panë valë të larta.

Ndërkaq, Qendra për Tërmete e Kinës tha se dridhjet e tokës u ndjenë edhe në zonat detare kineze, përfshirë Fujianin, Guangdongun, Jiangsun dhe Shangain. Tajvani vazhdimisht goditet nga tërmetet pasi ky ishull gjendet pranë vendit ku bashkohen dy pllaka tektonike.
Ishulli gjendet pranë “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit, zonë me aktivitet të shtuar sizmik që shtrihet në Azinë Juglindore dhe përgjatë pellgut Paqësor.

Tërmeti më vdekjeprurës në Tajvan u regjistrua në shtator të vitit 1999. Nga ky tërmet me magnitudë 7.6 i shkallës Rihter u vranë mbi 2 mijë e 400 persona.