Bota

Tërmet mes Ekuadorit e Perusë, të paktën 15 viktima!

Tërmet i fuqishëm në pjesën mes jugut të Ekuadorit e veriut të Perusë, paraprakisht raportohen të paktën 15 viktima e 126 të plagosur. Nga lëkundja e magnitudës 6.8 e shkallës Rihter në disa qytete të Ekuadorit, ndërtesat pësuan dëmtime të konsiderueshme.  Provinca jugore, El Oro rezulton më e prekura nga pasojat e këtij tërmeti. Aty u gjetën 12 nga 15 personat që raportohet të kenë humbur jetën deri tani.  Dy trupa të pajetë u zbuluan në Azuay po të Ekuadorit.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës raportoi se tërmeti me magnitudë 6.8 e pati epiqendrën rreth 80 km në jug të Guayaquil-it, një zonë ku banojnë më shumë se 3 milion njerëz.

Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso iu bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë derisa zyrtarët të përfundojnë vlerësimin e dëmeve. Kryetari i shtetit vizitoi një spital në qytetin Machala, për të takuar disa prej të plagosurve. Në Machala, një shtëpi dykatëshe u shemb para se njerëzit të mund të evakuoheshin, një skelë ra dhe muret e një ndërtese u çanë, duke bllokuar një numër ende të panjohur personash.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë në rrugët e mbushura me rrënoja e shtylla elektrike të rrëzuara. Ky është tërmeti më i fuqishëm që e ka goditur Ekuadorin prej 2016-ës, vit kur gati 700 njerëz gjetën vdekjen e mijëra të tjerë u plagosën nga dridhjet e tokës. Dëmeve nuk iu shpëtuan as qendra të kujdesit shëndetësor e shkolla.

Viktimë mbeti edhe një vajzë 4-vjeçe nga Peruja. Sipas kryeministrit peruan, Alberto Otárola, vogëlushja nuk i mbijetoi një plage në kokë nga shembja e shtëpisë së familjes së saj në rajonin Tumbes, ku u bë e ditur se u rrëzuan edhe muret e vjetra të një kazerme ushtarake.

Në Ekuador, ekspertët përjashtuan një kërcënim për cunami pas tërmetit të fortë që u ndje edhe në Peru, vend kufitar me shtetin e Amerikës së Jugut.