Bota

Tërmet në Afganistan, mbi 250 viktima e qindra të plagosur!

Një tërmet goditi mëngjesin e sotëm, Afganistanin lindor, duke shkaktuar vdekjen të paktën 255 personave, referuar informacioneve të para. Ende nuk dihet me saktësi numri i viktimave dhe i të plagosurve nga lëkundja me magnitudë 6.1 e shkallës Rihter, në provincën Paktika.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, tërmeti u regjistrua në thellsinë 51 km. Shumë njerëz flinin kur toka nisi të dridhej.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Bakhtar” që raportoi detajet paraprake, tha se ekipet e shpëtimit po shkonin me helikopter. Në një postim në Twitter, një zëdhënës i qeverisë afgane, shkruan:

Një tërmet i fortë tronditi katër rajone të provincës Paktika, duke vrarë dhe plagosur qindra bashkatdhetarë e shkatërroi dhjetëra shtëpi. Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës së shpejtë që të dërgojnë menjëherë ekipe në zonë, për të parandaluar katastrofën e mëtejshme.

Departamenti Sizmologjik i Pakistanit saktësoi se magnituda ishte 6.1. Lëkundjet u ndjenë deri në kryeqytetin pakistanez, Islamabad e në provincën lindore të Punjabit.

Agjencia Europiane Sizmologjike, EMSC, tha se lëkundjet e tërmetit u ndjenë mbi 500 kilometra nga më shumë se 119 milion njerëz në të gjithë Afganistanin, si dhe në Pakistan e Indi.