Aktualitet Bota

Tërmeti me mbi 5 mijë viktima, në Turqi mbërriti misioni shqiptar i ndihmës!

Në Turqi e Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i magnitudës 7.8 Rihter i mëngjesit të djeshëm. Në zonë vijoi aktiviteti sizmik, madje me postgoditje të fuqishme. Mbi 5 mijë persona humbën jetën dhe bilanci pritet të rëndohet. Epiqendra ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi, referuar Shërbimit Gjeologjik Amerikan. E ndërsa Shqipëria i është bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar Turqinë në lehtësimin e pasojave të tragjedisë, në këtë vend mbërriti skuadra e kërkim-shpëtimit dhe e ndihmës shëndetësore e dërguar nga shteti shqiptar.

Në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau foto përpara zbritjes në terren të skuadrës sonë. Misioni ndihmës përbëhet nga pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Në përbërje të tij janë 53 vetë personel mjekësor e specialistë të kërkim-shpëtimit. Po ashtu, 7 mjete kanë shkuar tashmë në Turqi.

Pjesa më e madhe e viktimave, rreth 3 mijë e 500 gjetën vdekjen në Turqi ku u shembën mbi 5 mijë e 600 ndërtesa. Afro 7 mijë vetë u shpëtuan duke u nxjerrë nga rrënojat, mes tyre një nënë me tre fëmijët e saj, që nën gërmadha qëndruan 28 orë.

Deri tani, 250 milion lira turke apo rreth 13.3 milion dollarë fonde emergjente janë dërguar për provincat në zonën e fatkeqësisë. Po ashtu, në një “vendim thjesht parandalues”, Kompania Turke e Naftësjellësit ndaloi rrjedhën e naftës së papërpunuar në rajon. Po aty, u përcaktua personel kërkim-shpëtimi i përbërë prej rreth 10 mijë personash.

Turqia lëshoi një alarm të nivelit 4, që përfshin thirrje për ndihmë ndërkombëtare. Pas një diskutimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndihma ndërkombëtare u kërkua përmes Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC).

Oferta të ndihmës u morën nga shumë vende, veçanërisht Holanda, Azerbajxhani dhe Britania e Madhe.

Ndërkohë, personeli i kujdesit shëndetësor i përcaktuar nga ministritë e Mbrojtjes Kombëtare dhe e Shëndetësisë u nisën nga Ankaraja për në rajon me dy avionë të ambulancës ushtarake. Përveç ekipeve të shpëtimit, në rajon u dërguan batanije, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike. Pas tërmetit, një korridor i ndihmës ajrore u krijua nga Forcat e Armatosura Turke për të dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon.